Në hyrje të Lungomares në Vlorë ndodhet një shesh i madh, i cili është pikëtakimi i parë i banorëve të Vlorës dhe turistëve me zonën më të bukur të qytetit, bregun e detit.
Kjo zonë shpesh kthehet dhe në park lojërash apo edhe shesh për koncertet që organizohen si nga Bashkia Vlorë, por edhe nga subjekte të ndryshme private.
Në muajt e verës kjo është zona më e frekuentuar e qytetit, por ajo që natyra i ka dhënë Vlorës duket se po shëmtohet, ndoshta nga paaftësia apo nga neglizhenca e autoriteteve lokale.
Dikur në këtë zonë kanë qenë të mbjella disa pisha që i jepnin hijeshi zonës, e në mbrëmje ndriçoheshin nga drita led të ngulura në tokë. Por sot kjo panoramë nuk është e njëjtë.
Tashmë pishat janë prerë dhe as dritat led nuk ndodhen më aty. Prej muajsh është kjo panoramë dhe ende nuk ka asnjë ndërhyrje për ta kthyer këtë zonë si më parë, që panorama për turistët dhe kalimtarët të jetë më e mira e mundshme.