Soraldo Nebo, aktivist nga Ksamili, ka denoncuar zvarritjen institucionale që po përballen fermerët e Ksamilit për të ligjëruar aktivitetin e tyre në impjantet e midhjes. Në një deklaratë për Gjurmon.al pas një proteste simbolike, ai tha se institucionet donin t’i shmangnin.
Sipas tij, protesta u zhvillua para një takimi të paralajmëruar më herët me disa përfaqësues të ministrisë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm dhe drejtues të sektorit të peshkimit. Fermerët kishin kërkuar një zgjidhje ligjore për kontratat e përdorimit të impjanteve, por u përballën me një përgjigje zhgënjyese.
“Përgjigja që morëm ishte që impjantet janë pronë e Ministrisë së Ekonomisë… duhet të presim që ajo të kthejë përgjigje për konkurimin,” tha Nebo.
Aktivisti shton se kjo është një vonesë e pajustifikueshme, duke theksuar se informacioni duhej dhënë tre vite më parë.
“Turp për ju që na e thoni tani pas tre vitesh këtë lloj gjëje, turp që nuk na e thatë javën e kaluar. U deshën edhe 8 ditë të tjera që të na thoni këtë.”
Ndërkohë, ai thekson se fermerët kanë nevojë për ligjërimin e aktivitetit të tyre për të çuar produktin në treg në mënyrë të certifikuar.
“Na e ligjëroni aktivitetin, pasi ne na duhet të nxjerrim produktin të certifikuar… nuk mbajmë kusuret e konsumatorit mbi shpatulla, iu thamë.”
Ai thekson se procesi po ndjek tashmë një rrugë zyrtare, por nënvizon se pati përpjekje për të shmangur zërin e fermerëve.
“Tentuan të na nxirrnin me forcë. Jemi në një proces zyrtar që po ndjekim dhe kjo është gjë e mirë.”
Në fund, ai apelon që kjo lëvizje të shërbejë si frymëzim për të tjerë fermerë që të angazhohen e të jenë më të pranishëm në betejat për të drejtat e tyre.
“Kjo shërben që të motivojë fermerët që të jenë në numër më të madh.”