Ende pa u përmbushur premtimi për dhënien e të gjitha certifikatave të pronësisë në Himarë

Ende pa u përmbushur premtimi për dhënien e të gjitha certifikatave të pronësisë në Himarë

Zgjedhjet e parakohshme të 4 gushtit të vitit të kaluar për kreun e Bashkisë Himarë u shoqëruan me premtime të shumta nga të dy kandidatët. Njësoj si Petro Gjikuria, i cili doli humbës, edhe kandidat socialist Vangjel Tavo, që arriti të fitonte premtuan zgjidhjen e problemit të pronësisë së banesave dhe tokave në Himarë.

Por teksa kanë kaluar disa muaj që kur Tavo ka marrë detyrën si kryetar bashkie, problemi i certifikimit të pronave ende nuk është zgjidhur.  Vetë Kryeministri Edi Rama u rikthye disa herë në Himarë me të njëjtin premtim, ku takimi i fundit me banorët e kësaj zone ishte ditët e fundit të vitit 2024.

Rama shpërndau disa certifikata pronësie në Himarë, për shtëpitë e trashëguara, por pa dhënë shifra të sakta.

Kemi bërë në 6 muaj pak a shumë, atë që pritej prej shumë e shumë vitesh dhe kemi arritur që gjithë bazën e punës së bërë në kohë e mëparshme, ta shfrytëzojmë për t’i dhënë një ritëm të jaashtëzakonshëm procesit”, – u shpreh Kryeministri Rama, në takimin me banorët e Himarës duke shtuar se tashmë ky problem ka marrë zgjidhje përfundimtare.

Por të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë tregojnë se në bashkinë e Himarës nga 2188 dosje gjithsej, 831 janë pa matje, ku nënkuptohet se nuk është kryer verifikimi në terren dhe pronarët e banesave nuk kanë ende një dokument në duar.

“…për këtë janë njoftuar kryepleqtë e zonave, për të mundësuar njoftimin e aplikuesve”, sqaron ASHK e Vlorës. Pavarësisht se shifrat flasin për një rritje të numrit të dosjeve të trajtuara, sërish problemi nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare.

Të dhënat nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës tregojnë se premtimi i kryeministrit Edi Rama për ndarjen të gjitha certifikatave të pronësisë brenda vitit 2024, nuk është mbajtur.