Në ditën e dytë pas reshjeve të rrëmbyeshme që përfshinë qytetin e Vlorës, pasojat e përmbytjeve vijojnë të jenë prezent. Gjatë kësaj të diele prezenca e ujit në rrugë ishte e paktë, por të përmbytura vijojnë te jenë ende garazhet.
Por me largimin e ujit, balta ka mbuluar rrugët, trotuaret dhe qindra biznese e banesa. Dëmet ende nuk janë llogaritur, por reshjet kanë shkaktuar pasoja edhe në institucione shtetërore dhe ato fetare.
Këtë të diel besimtarët si katolikë dhe mysliman nuk shkuan dot në vendet e shenjta, pasi balta ishte prezente kudo.
Bashkia e Vlorës në një reagim për mediat sqaroi se punëtorët e saj janë në terren për të vënë nën kontroll situatën, por ende pasojat e reshjeve të dendura duken kudo.
Nga ana tjetër janë shpërndarë ndihma për dhjetëra familje dhe grupet e ekspertëve janë në terren për të llogaritur vlerën e dëmeve.