Dhuna ndaj gruas është shtuar ndjeshëm në qytetin e Vlorës. Policia e Vlorës, por edhe komisariatet në Himarë, Selenicë apo Sarandë, çdo ditë njoftojnë raste të denoncuara nga gra që janë dhunuar psikologjikisht apo fizikisht nga bashkëshortët apo familjarë të tjerë.
Sipas shifrave zyrtare në 10 muajt e fundit, janar-tetor 2024, rastet konstatohen në rritje në krahasim me një vit më parë.
Duke iu referuar rasteve që denoncohen në polici, mesatarisht një femër dhunohet çdo ditë psikologjikisht dhe fizikisht në Vlorë. Po sipas avokatëve, shifrat e rasteve që nuk denoncohen janë shumë herë më të lartë.
Sipas juristëve, gratë nuk denoncojnë dhunën për shumë arsye, duke nisur nga ato ekonomike, sociale etj.
Problemi më madhor është mbrojtja e grave që denoncojnë dhunën. Të shumta janë edhe rastet kur pavarësisht se denoncohen dhe gratë fitojnë edhe urdhër mbrojtje nga gjykata, ky urdhër të shkelet nga abuzuesit dhe ato të bien sërish pre e dhunës.