Deklaratat për Aeroportin e Vlorës, si u lëviz hapja nga Prilli i 2024 në verën e këtij viti

Deklaratat për Aeroportin e Vlorës, si u lëviz hapja nga Prilli i 2024 në verën e këtij viti

Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës filloi më 28 nëntor 2021, gjatë Ditës së Flamurit Kombëtar, me një ceremoni zyrtare të organizuar nga qeveria shqiptare. Tre vjet e pesë muaj më vonë, tashmë në vitin 2025, nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u njoftua se në datën 8 maj do të kryhej fluturimi i parë test në Aeroportin e Vlorës.

Ky fluturim në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës pritet të realizohet tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.

Në qershor, sipas operatorëve turistikë, pritet që Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VLO) të fillojë operimet, me fluturimet e para charter që do të ulen në aeroport. Pista, kulla e kontrollit dhe ndërtesa të tjera të aeroportit janë mbyllur teksa duket se përpjekjet janë përqendruar në përfundimin e ndërtimit të terminalit.

Por hapja e Aeroportit të Vlorës ishte premtuar që të kryhej që një vit më parë. Le t’i hedhim një sy disa prej deklaratave zyrtare të dhëna në lidhje me këtë projekt:

Ministrja Belinda Balluku, 28 nëntor 2021: Ky aeroport parashikon që të hap rreth 1 mijë vende pune dhe synimi jonë, sipas kontratës, është të dorëzohet në prill të vitit 2024 dhe sigurisht të bëhet operacional brenda vitit 2025.

Ministrja Belinda Balluku, 29 prill 2022: Për dorëzimin kemi prillin e 2024, që mendojmë se koncensionari do ta kapë.

Ministrja Belinda Balluku- 27 nëntor 2023: Ne do mundohemi që ta mbyllim në dhjetor të 2024 për ti dhënë mundësinë e certifikimit të fundit gjithë pjesës tjetër.

Valon Lluka përfaqësues i aeroportit, 28 nëntor 2024: Terminali, duke pasur parasysh bumin e turistëve që ka pasur Shqipëria, kemi menduar që ta rrisim akoma më shumë, rreth 25 mijë metra katrorë, kemi menduar të bëjmë edhe dy bridges, ura.

Kostoja e ndërtimit të aeroportit ka arritur mbi 150 milionë Euro. Synimi i aeroportit është që të nisë me 2 milionë pasagjerë në vit për të shkuar deri në 5 milionë.

“Nëntori i këtij viti do të jemi 100% funksional”, tha para disa ditësh Kliti Dyrmishaj, menaxher projekti i Aeroportit të Vlorës. Gjurmon do ta verifikojë në vijim këtë deklaratë.

Në mars të vitit 2021, oferta fituese për ndërtimin e aeroportit iu dha një konsorciumi kompanish të udhëhequr nga Mabco Construction, i cili është në pronësi të biznesmenit dhe politikanit kosovar Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke YDA Group, e cila ka përvojë në ndërtimin dhe operimin e të paktën tre aeroporteve në Turqi, Kazakistan dhe Ukrainë.

Konsorciumi fitues u angazhua të investonte 104 milionë euro në ndërtimin e aeroportit. Megjithatë, rreth një vit e gjysmë pas fitimit të tenderit, kompania turke YDA Group u tërhoq nga projekti dhe e shiti 40% të aksioneve të saj tek Pacolli për një shumë simbolike prej vetëm 4,450 eurosh. Përfaqësuesi i VIA-s, Valon Lluka, i tha BIRN në vitin 2023 se kompania turke u tërhoq nga projekti sepse nuk e realizoi investimin e premtuar, duke shtuar se Grupi Mabetex ishte në gjendje të përmbushte të gjitha detyrimet kontraktuale. Sot, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është 98% në pronësi të Mabco. 2% e mbetur mbahet nga 2A Group SH.P.K., një kompani me bazë në Kosovë.

Ndërtimi i aeroportit ka hasur në kundërshtime nga grupe mjedisore, të cilët argumentojnë se ndodhet brenda Zonës së Mbrojtur të Vjosës-Nartë, duke rrezikuar ekosistemet dhe habitatet e shpendëve migratorë, si flamingot dhe pelikanët . Megjithatë, qeveria ka theksuar se vendndodhja u zgjodh për shkak të përdorimit të mëparshëm ushtarak dhe ka premtuar masa për mbrojtjen e mjedisit.​