Dëgjohet zëri i banorëve, Gjykata Administrative anulon ndërtimin e 4 HEC-ve mbi lumin Shushica

Dëgjohet zëri i banorëve, Gjykata Administrative anulon ndërtimin e 4 HEC-ve mbi lumin Shushica
Lumi Shushica

Banorët e fshatit Brataj dhe dy shoqatat “Eco Albania” dhe “Impetus” fituan betejën e parë për të ndaluar ndërtimin e katër hidrocentraleve mbi lumin Shushica. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi këtë mërkurë që të pranojë kërkesën e banorëve të fshatit Brataj dhe dy shoqatave.

Beteja ligjore për Shushicën filloi rreth tre vjet më parë, kohë kur banorët e luginës së Shushicës së bashku me “EcoAlbania” dhe shoqatën “Impetus”, të përfaqësuar nga avokatët Irena Dule e Dorian Matlija, kundërshtuan që në fillim vendimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, AKM dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, MIE për miratimin e kontratës dhe lejes mjedisore për projektin e ndërtimit të HEC-ve, në përfitim të shoqërisë “Shushica Hydropower”.

Ky vendim që u dha të drejtë banorëve dhe shoqatave që dolën në mbrojte të lumit Shushica, u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Bezart Kaçkini dhe anëtarë gjyqtarët Ramiz Lala e Selvie Gjoçaj.

Gjyqtari Kaçkini pohoi në sallën e gjyqit se të 28 banorët e fshatit Brataj kanë interes aktiv në këtë gjykim, pasi jo vetëm se kanë interesin material, por dhe atë shpirtëror e moral.

“Shushica është degë e Lumit Vjosa që është park kombëtar. Paditësit, edhe nëse nuk do të jetonin aty, sërish do të kishin legjitimitet për të ngritur padinë sepse kemi të bëjmë me një park kombëtar”, tha ndër të tjera kreu i trupit gjykues.

Sipas gjyqtarit Kaçkini, është çmuar se padia është e bazuar në prova dhe në ligj e duhet pranuar. Kjo vendimmarrje sjell anulimin e vendimit të ndikimit në mjedis të AKM-së, si dhe të kontratës koncensionare të Ministrisë së Infrastrukturës, që në 2017-ën destinoi për 35 vjet përdorimin e ujërave të lumit Shushica për prodhim energjie.

Banorët e fshatrave që shtrohen përgjatë luginës së lumit Shushica kanë protestuar dhe bërë peticione në mënyrë vijuese kundër ndërtimit të katër HEC-ve dhe ndaj projektit të ujësjellësit të Himarës.

Ndërkohë, një tjetër padi kundër projektit të ujësjellësit të Himarës që parashikon devijimin e burimit kryesor të lumit Shushica, po shqyrtohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë.