Çarja e digës së Lukovë, nisin hetimet nga Policia, Prokuroria dhe KLSH

Çarja e digës së Lukovë, nisin hetimet nga Policia, Prokuroria dhe KLSH

Institucionet ligjzbatuese janë vënë në lëvizje pas çarjes së digës në afërsi të Lukovës në Bashkinë Himarë. Policia, Prokuroria e Vlorës dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë nisur hetimet, ku kanë marrë të gjitha provat në vendngjarje që mund të çojnë në zbulimin e faktorëve që shkaktuar në çarjen e digës

Prokuroria pritet që të merren në pyetje edhe përgjegjësit që realizuan projektin vite më parë. Dy janë pistat kryesore përse mund të jetë carë diga, punimet pa cilësi si dhe mbingarkesa me ujë mbi kapacitetin e saj si rrjedhojë e prurjeve të larta.

Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur një auditim për ngjarjen, ku pritet të ketë në objekt verifikimin e shkaqeve që çuan në situatën problematike e cila solli dëme të konsiderueshme materiale.

Mësohet se objekt i kontrollit do të jetë jo vetëm kompania që ka në pronësi këtë strukturë mbi anën teknike, cilësinë e punimeve si dhe atë të projektimit por edhe institucionet që kanë për detyrë të kontrollojnë këtë HEC dhe të tjerë.

Hetime për administratorin e firmës ndërtuese

Teksa hetime po kryhen nga të gjitha institucionet, Vangjel Ngjelo, administrator i firmës private “Enerego-Sas”, akuzohet nga policia për veprën penale “shkatërrim i pronës”.

Në një njoftim për mediat, blutë e Vlorës bëjnë me dije se kanë referuar materialet në Prokurori, ku sheh si përgjegjës administratorin e kompanisë që ka ndërtuar hidrocentralin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, për shtetasin V. N., 68 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dje, rreth orës 12:30, në hidrocentralin ku ai është administrator, është çarë diga, dhe si pasojë është bllokuar rruga nacionale “Himarë-Sarandë” dhe janë përmbytur disa banesa në vendin e quajtur Bunec”, njofton Policia e Vlorës.

Dëmtohen bizneset

Prefektura e Vlorës konfirmon se janë 12 biznese të prekura totalisht nga vërshimi i ujit. Këto biznese janë sezonale dhe ndodhet pjesën e plazhit të Bunecit. Ndërkohë mësohet se janë edhe dy banesa që janë prekur nga vërshimet, ku u janë dëmtuar muret rrethuese dhe kanë prezencë uji në oborr.