Diga në afërsi të fshatit Lukovë në Bashkinë e Himarës është çarë mesditën e sotme dhe ka shkaktuar panik te banorët. Sipas informacioneve nga Policia e Vlorës bëhet me dije se në vendngjarje kanë shkuar strukturat e bluve, por edhe Emergjencat Civile.
Çarja e digës kryesore ka përmbytur rrugën dhe disa biznese në zonë. Prej disa orësh po punohet për evakuimin e çdo personi që mund të jetë në rrezik.
Deri tani janë shkaktuar vetëm dëme materiale, por janë marrë masat e nevojshme që të mos ketë dëme në njerëz.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet në zonën e rrezikuar dhe të raportojnë menjëherë për çdo rast emergjence.