Banorët e Lumit të Vlorës, të cilët kundërshtojnë projektin e ujësjellësit të Himarës, që synon marrjen e ujit të lumit Shushica, kanë paralajmëruar protestën e radhës.
Me anë të mediave sociale, ata kanë shpërndarë thirrjen për këtë tubim të radhës, që parashikohet të zhvillohet ditën e shtunë në datë 5 Prill në orën 11:00. Edhe këtë herë banorët do të mblidhen në vendin e quajtur “Ura e Laskos”, aty ku ka pikënisjen dhe ujësjellësi i ri që synon futjen e ujit në tuba për t’i dërguar në Himarë dhe në fshatrat e tjerë bregdetarë.
Një prej banorëve organizatorë të këtij tubimi, fton të gjithë banorët e zonës që të bashkohen. “Duhet të bëhemi një zë i vetëm!”, thotë ai ku kërkon denoncimin e asaj që e quajnë padrejtësi të çdo institucioni, ata që po ndodh me banorët e lumit të Vlorës.
“Lumi Shushica është i yni! Tokat janë tonat! Dhe ne nuk do të lejojmë askënd ti shkatërrojë! Ne nuk jemi kundër zhvillimit, nuk jemi kundër punës, por jemi kundër shkatërrimit! Ajo që po ndodh me Shushicën është padrejtësi! Po thahet toka jonë, po helmohen ujërat tona, po rrezikohet jeta e bagëtive dhe e fëmijëve tanë. E për çfarë? Për përfitime të ca individëve në kurriz të 37 fshatrave”, citohet më tej në njoftim.
Një thirrje shkon edhe për të gjithë emigrantët që kanë lënë banesat dhe të afërmit në fshatrat e Labërisë që të bashkohen në tubim, pasi siç thonë uji është i të gjithëve.