Auditimi i KLSH: Plazhet publike në Shqipëri të keqmenaxhuara, privatizimi në rritje

Auditimi i KLSH: Plazhet publike në Shqipëri të keqmenaxhuara, privatizimi në rritje

Një auditim i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka zbuluar se vendimi i qeverisë për të ndarë plazhet në raportin 70% privat – 30% publik nuk ka rezultuar efikas në terren. Përveç Sarandës, në të gjitha bashkitë e tjera bregdetare, plazhet publike janë lënë pas dore, pa infrastrukturën dhe higjienën e duhur.

Sipas raportit të KLSH-së, hapësirat e rezervuara për plazhet publike janë shpesh të paaksesueshme dhe të vendosura në zona problematike, si afër derdhjeve të ujërave të zeza apo në ambiente të ndotura. Në disa raste, këto hapësira janë uzurpuar nga banorët e zonës, të cilët kanë vendosur shezlongë dhe çadra të mbyllura me dry e zinxhir, duke kufizuar të drejtën e përdorimit nga pushuesit e tjerë. Kjo situatë është e dukshme sidomos në bregdetin e Durrësit dhe Kavajës.

Auditimi evidenton se nga viti 2022 deri në 2024, hapësira e plazheve private është rritur ndjeshëm. Konkretisht:

  • Në Lezhë, plazhet private janë shtuar me 250%.
  • Në Himarë, zgjerimi ka arritur 200%.
  • Durrësi dhe Vlora kanë sipërfaqen më të madhe të plazheve private për vitin 2024, me 131 mijë dhe 119 mijë m² të shfrytëzuara.

Auditimi vëren se, edhe pse është rritur ndjeshëm numri i sipërfaqeve të kontraktuara në plazhe – me një rritje nga 45% deri në 253% – të ardhurat nga tarifat për këto hapësira janë rritur vetëm me 7% deri në 37%. Në total, 6 bashkitë bregdetare kanë arkëtuar 1.4 miliardë lekë nga këto tarifa gjatë periudhës 2022-2024, por kjo shumë nuk mbulon kostot e mirëmbajtjes së plazheve publike.

Për të përmirësuar situatën, KLSH rekomandon:

  1. Rritjen e tarifës për zënien e hapësirave publike nga subjektet private.
  2. Vendosjen e sinjalistikës së detyrueshme për të shmangur abuzimet me çmimet e shezlongëve.
  3. Publikimin e listave fikse të çmimeve, për të lehtësuar monitorimin dhe transparencën.

Auditimi thekson gjithashtu se Shqipëria mbetet i vetmi vend në Europë që nuk ka një ligj të posaçëm për bregdetin, duke e konsideruar situatën si një emergjencë kombëtare.