Mësohet se disa minuta pas ngjarjes, në një distancë jo shumë të largët nga vendi ku ndodhi atentati është gjetur dhe një mjet në djegie e sipër që dyshohet se iu përket autorëve.
Kristjan Marku 30 vjeç është gjetur i vrarë në automjetin e tij në afërsi të Novoselës në autostradën Levan-Vlorë. Ngjarja e rëndë që ka tronditur qytetin e Vlorës ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, teksa Marku ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij.
Viktima Kristian Marku është me precedent penal për “Vrasje me dashje në bashkëpunim mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.
Moti me shi dhe mungesa e kamerave të sigurisë vështirëson punën e policisë për kapjen e autorëve, teksa në të gjitha hyrjet e qytetit bregdetar janë ngritur dhe postblloqe.
“Rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin K. M., 30 vjeç, i cili ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, është ky njoftimi i policisë për ngjarjen.