Soraldo Nebo, një aktivist i njohur nga Ksamili, ka bërë një thirrje publike përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku ka ngritur shqetësimin mbi gjendjen kritike të industrisë së midhjes në liqenin e Butrintit. Në mesazhin e tij, ai theksoi problemet që po përballen fermerët këtë vit për shkak të ndryshimeve në farën e midhjes dhe faktorëve mjedisorë që po ndikojnë negativisht në prodhimin e saj.
Sipas Nebos, ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit fara e midhjes është shfaqur e bardhë dhe e prekur nga një gjallesë e quajtur karaul, çka tregon se sezoni i ardhshëm mund të jetë i vështirë për prodhuesit. Ai bëri thirrje të drejtpërdrejtë Ministres së Bujqësisë dhe institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë për të dhënë mbështetje konkrete fermerëve, përmes dhënies së kontratave dhe investimeve të nevojshme në liqen.
Gjithashtu, aktivisti kërkoi nga institucionet lokale dhe kryetari i bashkisë që të ndihmojnë në zgjidhjen e kësaj situate dhe të marrin masa për përmirësimin e cilësisë së ujit në liqen, pastrimin e kanaleve dhe kryerjen e analizave të nevojshme. Ai shprehu shqetësimin e tij se nëse nuk merren masa urgjente, midhjet e konsumuar në restorantet lokale do të jenë të importuara nga Italia, duke u dëmtuar kështu industria e vendit.
Thirrja e plotë e aktivistit:
Jemi në këmbët e liqenit, në afërsi të impianteve, dhe këtë vit po bëjmë një interpretim bazuar në informacionin që na jep natyra. Në vitet e kaluara, këmbët e bimësisë ishin të mbuluara me farë të zezë të midhjes, duke na bërë të besonim se do të kishim një sezon të mbarë për midhjet. Por ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit vërejmë se fara është shfaqur e bardhë, e mbuluar nga një shtresë e bardhë dhe e prekur nga një gjallesë e quajtur karacum. Kjo na jep informacion se për sezonin që vjen, midhjet mund të kenë probleme, dhe fermerët nuk janë të sigurt nëse do të kenë fara të mjaftueshme. Një nga faktorët kryesorë që ndikon është edhe ngrohja globale.
Ju lutem, e dashur ministre, jepini kontratat fermerëve, jepini kontratat që të kenë siguri dhe të bëjnë investimet e duhura në impiante në liqen. Ju lutem, zbresni në terren dhe flisni me ta për problematikën e farës që kanë hasur këtë vit. Nuk janë të sigurt nëse do të kenë fara të mjaftueshme për vitin tjetër.
E dashur ministre, dërgoni institucionet në terren për të hapur dhe testuar liqenin, për të rritur nivelin e ujit në liqen, për të pastruar kanalin e Vivarit dhe për të kryer analizat e nevojshme në drejtorinë përkatëse, që të merren masa dhe të veprohet në mënyrë që situata të përmirësohet. Ju lutem, veproni.
Thirrja shkon edhe për institucionet lokale. I dashur kryetar i bashkisë, ndaloni veprimet e paqëndrueshme duke e kthyer festën e midhjes në një festë të peshkut. Ju lutem, lejoni një fermer të midhjes që të festojë pa trishtim dhe le të jetë kjo festë një mundësi për të ngritur zërin, për të paraqitur problemet e tyre dhe për të ftuar kolegë nga jashtë, nga vende si Italia dhe Greqia, që të sjellin eksperiencat e tyre dhe të japin këshilla se si mund të përmirësohen gjërat.
Të dashur anëtarë të këshillit bashkiak, që kontribuoni me fisnikëri në shërbim të komunitetit dhe jeni aktivë në rrjetet sociale, veproni dhe ngrini zërin tuaj, diskutoni në këshillë për mënyrat se si mund të mbështeten fermerët. Kjo na prek të gjithëve. Është një industri e tërë e gastronomisë që lidhet me midhjet. Në çdo pjatë që i servirim turistit, ka midhje brenda.
Edhe këtë vit, midhjet i kemi marrë nga Italia. Shtëpia e midhjes në Ksamil, Sarandë, dhe kemi konsumuar midhje nga Italia. Është një realitet për të gjithë restorantet. Ju lutem, kjo është një thirrje urgjente. Është e dhimbshme, por unë personalisht do të veproj me aq sa mundem, do të veproj fuqishëm që kjo situatë të mos degradojë më tej. Fermerët duhet të ndihmohen dhe midhjet të shpëtohen, që të veprohet në kohë.