Një zhvillim i rëndësishëm erdhi dje nga Komiteti Ekonomik i qytetit të Mynihut, ku u konfirmua se Munich Airport International (MAI) po tërhiqet nga projekti i shumëkritikuar i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në Shqipëri. Kjo lëvizje u mirëprit nga organizatat gjermane për mbrojtjen e natyrës EuroNatur dhe BUND Naturschutz, të cilat bashkë me partnerët e tyre shqiptarë kanë qenë në vijën e parë të betejës kundër ndërtimit të aeroportit në Lagunën e Nartës, një zonë ligatinore me mbrojtje ndërkombëtare dhe me rëndësi të veçantë për shtegtimin e shpendëve.
Në një deklaratë zyrtare, MAI – ku Bashkia e Mynihut është aksioner madhor – bëri të ditur se angazhimi i saj në projekt ka qenë vetëm në cilësinë e këshilltarit, dhe se tashmë po largohet nga çdo përfshirje në këtë projekt të nxehtë.
Projekti për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës është kritikuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, për shkak të ndikimeve të dëmshme që pritet të ketë mbi biodiversitetin dhe mjedisin.
Gabriel Schwaderer, Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur, deklaroi:
“Tani që deklarata e kryeministrit Edi Rama për operimin e aeroportit nga MAI po rrëzohet si një shtëpi letre, i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të ndalë menjëherë këtë projekt të dëmshëm për mjedisin dhe, sipas nesh, të paligjshëm.”
Kujtojmë se Kryeministri Rama, në një deklaratë gjatë Panairit ITB në Berlin, pati pohuar se MAI do të operonte aeroportin e Vlorës – një pretendim që tashmë është mohuar nga vetë kompania gjermane.
Kjo tërheqje e parë madhore nga projekti përbën një fitore të rëndësishme për mbrojtësit e natyrës dhe rihap debatin publik mbi transparencën dhe ligjshmërinë e ndërtimit të aeroportit në një zonë me vlera të jashtëzakonshme ekologjike.