Nga Gjergji Nika*/ Ditën e djeshme 1/3 e Këshilltarëve te Opozitës firmosen kërkesën për mbledhje jashtëzakonshme për përmbytjet që ndodhën në qytet, në mënyrë jo profesionale dhe në shkelje të ligjit për vetëqeverisjen vendore kjo kërkese u refuzua duke shkelur haptazi ligjin ku:
Neni 53, pika 3, germa “b” e Ligjit nr. 139, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, parashikohet shprehimisht se: “Këshilli mblidhet në çdo rast me kërkesën me shkrim të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të tij”. Pra, ky nen i ligjit nuk lë vend për aludime.
Gjithashtu, në pikat 1 dhe 4 të nenit 61 të Rregullores së Këshillit Bashkiak, miratuar me Vendim nr. 35, datë 28.03.2022, parashikon shprehimisht se:
Mbledhja thirret nga Kryetari i Këshillit, mbi bazë të kërkesës me shkrim të jo më pak se 1/3 e anëtarëve të Këshillit Bashkiak; Mbledhja e Jashtëzakonshme mbahet jo më vonë se 24 orë nga momenti i depozitimit të kërkesës me shkrim.
Ky nen DETYRON kryetarin e këshillit që të caktojë orën dhe datën e mbledhjes së këshillit, si dhe t’i kërkojë kryetarit të Bashkisë që të raportojë në mbledhjen e këshillit sipas objektit të kërkesës për mbledhje të jashtëzakonshme.
Ne nuk kem shpallur ‘gjendje të jashtëzakonshme’, pasi nuk kemi kompetencë, por kemi kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme për një situatë të caktuar. Këta ngatërrojnë termat “gjendje e jashtëzakonshme” me “mbledhje të jashtëzakonshme”.
Këshilltarët janë të mandatuar nga qytetarët për t’i përfaqësuar ata në këshillin bashkiak, dhe si të tillë kanë të drejtë të informohen për çështje me impakt për qytetin, dhe në rastin konkret për pasojat sociale dhe financiare.
Kaq e thjeshtë është dhe s’ka vend për interpretime! Këshilltarët opozitarë do të ndjekin çdo hap ligjorë dhe institucional që arroganca dhe shkelje të tilla mos të ndodhin në të ardhmen!
*Këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak Vlorë