Parku Kombëtar i Vjosës përballë rreziqeve, edhe në Shushicë kryhen aktivitete që po shkatërrojnë ekosistemin

Parku Kombëtar i Vjosës përballë rreziqeve, edhe në Shushicë kryhen aktivitete që po shkatërrojnë ekosistemin

Organizata EcoAlbania ka publikuar sot Raportin e saj të fundit mbi “Hartëzimin e Presioneve në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa“, një dokument i rëndësishëm që identifikon dhe analizon presionet kryesore që kërcënojnë integritetin ekologjik të lumit Vjosa dhe degëve të tij kryesore, përfshirë Drinon, Shushicën dhe Bënçën.

Raporti analizon presionet nga industria nxjerrëse, aktiviteti urban, vaditja dhe turizmi, por thekson si më shqetësuese tri kategori kryesore të presioneve:

Marrja dhe nxjerrja e ujit: Nxjerrja e ujit për vaditje, furnizim urban dhe përdorim industrial është një ndër problemet kryesore. Përdorimi i ujërave për vaditje që kryhet përmes kanaleve  vaditëse, në bazë të të dhënavë të mbledhura në raport, përfshijnë të paktën një sipërfaqe prej 47,266 hektarësh, duke reduktuar prurjet natyrore dhe ndikuar negativisht në habitatet ujore dhe tokësore.

Marrja e zhavorrit nga lumi: Marrja intensive e zhavorrit, me 36 impiante identifikuar përgjatë lumit, prej të cilave 17 aktive, 5 jo aktive, 5 të braktisura dhe vetëm 2 të rehabilituara. Aktivitetet e marrjes së zhavorrit kanë dëmtuar morfologjinë e lumit, habitateve natyrore dhe cilësinë e ujërave.

Industria nxjerrëse dhe përpunuese: Aktivitetet industriale përfshijnë nxjerrjen e naftës, bitumit, gurit gëlqeror dhe mineraleve të tjera. Zona më e prekur është Selenica, me 13 miniera aktive dhe mbi 150 puse nafte që ndikojnë në cilësinë e ujit dhe tokave përreth.

default

Gjetjet e këtij raporti janë një këmbanë alarmi për mbrojtjen e integritetit ekologjik të Parkut Kombëtar të lumit të Egër Vjosa. Për të frenuar shkatërrimin e ekosistemit delikat të Vjosës, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet shtetërore dhe aktorët lokalë për të siguruar zbatimin efektiv të masave të propozuara në Planin e Menaxhimit të Parkut dhe për të garantuar që Vjosa të mbetet e mbrojtur për brezat e ardhshëm.” – tha Olsi Nika nga EcoAlbania.

Raporti thekson rëndësinë e masave të menjëhershme për të reduktuar ndikimet negative të këtyre aktiviteteve në Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa, duke përfshirë:

Menaxhimin e shfrytëzimit të ujërave: Llogaritja dhe kontrolli i volumit të shfrytëzimit të ujit për përdorime bujqësore, industriale dhe shtëpiake, pa kompromentuar integritetin ekologjik të parkut.

Rregullimin e marrjes së zhavorrit: Ndërprerja e depozitimeve ilegale të inerteve, rehabilitimi i zonave të dëmtuara dhe krijimi i një plani për mbrojtjen e vegjetacionit riparian.

Kufizimin e aktiviteteve industriale: Eleminimi i dampave të mineraleve pranë brigjeve të lumit, krijimi i një laboratori modern për kontrollin e shkarkimeve dhe hartimi i planeve të rehabilitimit për zonat e degraduara.