Numri i lindjeve po ulet, Vlora 12.6% foshnje më pak në 3 mujorin e fundit të 2024

Numri i lindjeve po ulet, Vlora 12.6% foshnje më pak në 3 mujorin e fundit të 2024

Shpopullimi i vendit po ecën me ritme të shpejta, ku të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i lindjeve në tre mujorin e fundit të vitit 2024 ka pësuar sërish rënie.

Sipas INSTAT, në shkallë kombëtare bebet e lindura me 2024 shënuan rënie vjetore me 5%, por në disa qarqe ishte shumë fish më e lartë. Qarku i Gjirokastër kryesoi për rënien më të madhe të lindshmërisë me mbi 19% në vitin 2024. Në qarkun jugor gjatë vitit të kaluar lindën vetëm 317 bebe nga 393 më 2023. Krahasuar me vitin 2020 lindjet në qarkun e Gjirokastrës ranë me 37 për qind.

Pas Gjirokastrës rënien më të madhe se mesatarja kombëtare të lindjeve kishin qarqet e Beratit me -12.6%, Vlorës me -12.6%, Korçës me -11 dhe Lezhës me – 10%. vJugu i vendit ka norma më të larta të rënies së lindjeve për shkak  të strukturës së popullsisë më të plakur.

Sipas Censit të fundit, popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grup-moshat e reja, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë. Ekspertët e statistikave e shpjegojnë këtë rënie me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016, nëpërmjet formës së re të emigracionit, azilit ekonomik.

Por teksa lindjet po pakësohen, disa bashki me në krye Himarën janë të varura nga moshat e treta. Sipas të dhënave Bashkia e Himarës, ka varësi të moshave mbi 60%, kjo do të thotë se të moshuarit mbi 65 vjeç në këto bashki përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë.