Albert Hasanaj është një fermer nga fshati Kocul në Bashkinë Selenicë, i cili prej 5 vitesh po mundohet që të ngrejë një kantinë për prodhimin e verës dhe rakisë. Deri më tani zotëron rreth dy hektarë vreshta, por për të arritur sasinë e duhur të prodhimit, blenë dhe rrushin e fermerëve të tjerë në zonë.
Albertin e takuam në kantinën e tij të vogël, që po përpiqet ta rrisë çdo vit, por thotë se problem ngelet financimi. Siç tregon ai, me borxhe dhe kursimet vetjake, ka arritur që të qëndrojë në treg, por kërkon që ndihmë të ketë edhe nga shteti.
“Shumë në rritje nuk është për arsye financimi, duhen depozita për prodhimin, duhet ambienti që të blesh më shumë rrush. Duhet financim me pak fjalë”, thotë fermeri për Gjurmon.al.
Sipas tij, së pari fermerët duhet që të financohen për të blerë mjete bujqësore, për të prodhuar më shumë. Në këtë mënyrë do punohen më shumë toka, do ketë punësim më të lartë dhe më shumë prodhim vendas.
“Duhet financim për të rritur kapacitet dhe kështu rritet dhe cilësia. Duhet ndonjë kredi e butë për traktorët”, shprehet Hasanaj.
Deri më tani janë zgjidhur problemet bazike, thotë ai, energji elektrike, ujë dhe rrugë, por këto nuk mjaftojnë për të pasur shtuar bizneset e vogla në zonat e fshatrave.
Edhe subvencionet e naftës për të punuar tokën, sipas tij nuk mjaftojnë. “Kemi marrë subvencione të naftës, nuk ishin shumë. Por ndihmë shteti mund të japë vetëm për të dhënë mjete për kredi të butë”, deklaron Hasanaj.
Alberti nuk pret vetëm nga shteti, por ka aplikuar edhe në programin Start up-eve në Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, por nuk ka pasur sukses. “Kam aplikuar te start up-et por nuk kam fituar”, thotë ai.
Një tjetër mundësi financimi janë dhe fondet IPARD të Bashkimit Evropian, por Hasanaj shprehet se për të aplikuar në to duhet të jesh “specialist” dhe kërkon ndihmë nga bashkia për të pasur një zyrë ku fermerët mund të ndihmohen për të kryer aplikimet e tyre.
“Janë fondet e IPARD, por duhet specialist që të aplikosh. Duhet të na ndihmoj bashkia për të bërë aplikime të mira se nuk jemi të gjithanshëm”, pohoi fermeri.
Deri më tani tregon se prodhimi i është shitur, ku tregu nuk mungon, por shton se cilësia duhet të jetë e mirë për të konkurruar. “Prodhimi shitet, por duhet që të jetë i mirë”, pohon ai duke bërë thirrje për shtetit që t’i ndihmojnë.