Shkolla 9-vjeçare “Qazim Sina” në fshatin Kocul në Bashkinë Selenicë, dikur një vatër e dijes dhe edukimit për breza të tërë, sot qëndron pothuajse e braktisur dhe e rrënuar. Muret e saj të plasaritura dhe dritaret e thyera dëshmojnë për vite të tëra neglizhence dhe mungesë mirëmbajtjeje. Oborri, dikur i mbushur me nxënës, tani është i mbuluar nga barërat dhe shkurret. Sipas banorëve të zonës, në këtë shkollë kanë ngelur diku tek 30-40 nxënës.
Në disa prej klasave, karriget dhe bangat janë prishur dhe grumbulluar nëpër cepat e klasave.
“Shkolla është pa kushtet minimale për të zhvilluar mësimin normalisht. Shkolla nuk ka ngrohje, nxënësit që kanë mbetur blejnë ngrohje me lekët e tyre. Ka lagështi dhe tualetet janë problem i madh. Që nga koha kur kam qenë unë këtu para 15 vitesh dhe deri tani janë akoma problem tualetet”, tha për Gjurmon.al një banor i Koculit, ish nxënës në këtë shkollë.
Ashtu sikurse edhe në Kocul, në shumë zona rurale të Shqipërisë, shkollat janë mbyllur ose lënë në mëshirë të fatit për shkak të numrit të ulët të nxënësve dhe migrimit masiv drejt qyteteve ose jashtë vendit. Sipas një raporti të UNICEF-it, infrastruktura fizike në shumë zona rurale nuk i plotëson standardet bashkëkohore, duke çuar në braktisjen e tyre.
Duke u nisur nga gjendja e rënë e kësaj shkolle, është thelbësore që autoritetet përkatëse të ndërhyjnë për të rehabilituar dhe mirëmbajtur këto institucione arsimore.