Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, IUCN, publikoi të hënën një raport vlerësimi mbi projektin e Ujësjellësit të Himarës, një projekt tashmë i kundërshtuar nga aktivistë dhe banorë të luginës së Shushicës.
Raporti, i përgatitur nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë dhe vendas, doli në përfundimin se projekti i propozuar do të kishte ndikime të rënda mbi biodiversitetin e parkut kombëtar dhe nuk përmbush standardet e IUCN për parqet kombëtare. Ai rekomandon shmangien e plotë të projektit dhe përdorimin e burimeve alternative të ujit. “Shmangia është e domosdoshme për të arritur Mos-humbjen e biodiversitetit dhe për të shmangur ndikimet negative të mëdha mbi integritetin e PKLE Vjosa dhe objektivat e tij,” thekson raporti.
EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur mirëpresin rezultatet e raportit dhe i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare që të veprojë me vendosmëri në përputhje me gjetjet e raportit, duke mbrojtur PKLE Vjosa përmes prioritizimit të Skenarit të Shmangies. Ky skenar ndalon shfrytëzimin e ujit të Shushicës dhe rekomandon përdorimin e burimeve alternative ujore jashtë parkut, duke qenë kështu në përputhje me parimin e IUCN për Mos-humbjen e Biodiversitetit dhe siguruar respektimin e objektivave të parkut kombëtar. SHIKO VIDEON TONË.
Gjetjet kryeore të Raportit:
Shkelje e kritereve të Parkut Kombëtar dhe risk i madh ekologjik: Raporti thekson ndikimet e mundshme shkatërruese të projektit, duke përfshirë: a) Humbjen e habitatit kritik për specie të rrezikuara, si peshqit, amfibët dhe bimësia ujore. b) Dëme të pakthyeshme në transportin e sedimenteve, cilësinë e ujit dhe biodiversitetin. Si rezultat i këtyre ndikimeve, projekti bie ndesh me udhëzimet e IUCN për Parqet Kombëtare, Kategoria II, të cilave qeveria shqiptare është e angazhuar. “Siç është planifikuar, devijimi i ujit nuk përputhet me udhëzimet e IUCN për Parqet Kombëtare të Kategorisë II, duke prekur potencialisht integritetin dhe objektivat e ruajtjes së parkut si dhe shërbimet e ekosistemit. ” (IUCN, 2025, Përmbledhje Ekzekutive).
Burimet Lëpushës janë thelbësore: Në kundërshtim me pretendimet e propozuesve të projektit – përfshirë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit – burimet e Lëpushës kanë rëndësi jetike për Shushicën. Ato përbëjnë burimin kryesor të lumit dhe janë thelbësore për ekosistemin e tij. Raporti i IUCN-së i përshkruan këto burime si “një pjesë kryesore e Lumit Shushica, duke pasur një domethënie funksionale për të gjithë ekosistemin e lumit.” Projekti, siç është planifikuar, do të shfrytëzonte të gjithë rrjedhën e burimeve gjatë muajve të thatë të verës, duke mos lënë ujë për biodiversitetin e lumit dhe banorët.
Ekzistojnë alternativa të qëndrueshme: Raporti identifikon disa burime alternative uji, si Burimet e Borshit, Tatzatit dhe Ferës, të cilat mund të plotësojnë kërkesën për ujë pa dëmtuar Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Ndryshimet klimatike rrisin rrezikun: Me ndryshimet klimatike që parashikohet të reduktojnë disponueshmërinë e ujit në Vjosë dhe Shushicë me 30% deri në vitin 2050, ndikimi ekologjik i shfrytëzimit të ujit do të jetë edhe më i rëndë në të ardhmen.
OJF-të dhe Komunitetet Lokale Kërkojnë Veprim të Menjëhershëm
Organizatat partnere të fushatës “Zemra Blu” dhe banorët e luginës së Shushicës janë të bashkuar në qëndrimin e tyre ndaj këtij projekti. “Ky raport forcon qëndrimin që kemi mbajtur që nga fillimi i kësaj beteje: projekti do të shkaktonte dëme të mëdha në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, dhe ndërsa ka burime të tjera ujore, ky projekt është plotësisht i panevojshëm,” tha Olsi Nika nga EcoAlbania. “Skenari i Shmangies është e vetmja rrugë për të mbrojtur një nga ekosistemet e fundit të lumenjve të egër në Evropë dhe për të ruajtur integritetin e PKLE Vjosa.”
“Për breza, lumi i Shushicës ka qenë burim jete për luginën tonë, duke siguruar ujin për tokat tona, ofruar bukuri natyrore dhe burim jetese për komunitetin tonë”, tha Astrit Baliaj, kryetar I fshatit Kuç. “Ne nuk do qëndrojmë duarkryq dhe të lejojmë këtë projekt t’na shkatërrojë lumin dhe jetën tonë. Qeveria duhet të dëgjojë shkencën dhe komunitetin dhe të heqë dorë nga ky projekt”.
OJF-të bëjnë thirrje për heqjen dorë nga planet që kërcënojnë parkun kombëtar, duke i nxitur zhvilluesit e projektit, përfshirë Fondin Shqiptar të Zhvillimit, të përqafojnë alternativa të qëndrueshme që respektojnë integritetin dhe shëndetin ekologjik afatgjatë të parkut.