Përmbytja e Vlorës më 4 tetor 2024 zbriti me këmbë në tokë për disa ditë propagandën qeveritare për bumin e turistik dhe i detyroi të rendin së justifikuari se pse qyteti bregdetar u gjunjëzua nga reshjet që edhe pse detin e kishin pak metra larg, nuk arrinin gjithsesi të derdheshin në të ashtu si natyrshëm ligji natyrës ja kërkon.
Një fluturim me dron nga ajri, tregonte gjendjen në ditën e nesërme të përmbytjes, dhe në analizën e tyre evidentohej shkaku: “…rrugët me disnivel.” Të njëjtin justifikim e dëgjuam të përsëritet në disa intervista, ndaj më nxiti të analizoj dhe të kuptoj diçka më tepër rreth shkaqeve.
Po rrugët patjetër që me disnivel do jenë, sepse ndërtohen mbi tokë dhe jo mbi det i cili është i vetmi që qëndron në nivel. Atëherë këtë justifikim kemi për ta dëgjuar për çdo qytet që do ketë të njëjtin fat.
Nga pamjet me dron dallohet qyteti i ndarë në 2 pjesë, një zonë e mbuluar në ujë e tjetra pa probleme. Vija ndarëse është Rruga Transballkanike e cila duket ku makinat lëvizin lirshëm ndërkohë që në të djathtë të saj qyteti është i bllokuar nga uji.
Nga disa matje të realizuara nëpërmjet google maps realisht Rruga Transballkanike është e ndërtuar më lartë se pjesa tjetër e qytetit që e rrethon, por kjo ndikon vetëm me ujërat sipërfaqësorë dhe jo me ato të kanalizuara. Kanalizimet pavarësisht nivelit sipërfaqësor projektohen me pjerrtësitë e duhura që të largojnë ujërat e zonës që mbledhin.
Problemi qëndron pikërisht te sasia e reshjeve që mblidhet në sipërfaqe. Po të vërejmë pozicionin e zonës së përmbytur ajo ndodhet midis zonës malore në të djathtë dhe rrugës Trasballkanike në të majtë. Përveç reshjeve direkte në zonën e përmbytur janë vërshuar dhe reshjet që zbrisnin nga zona malore dhe këto në një farë pike kanë gjetur si pengesë rrugën që ka luajtur rolin e digës.
Një planifikim urban dhe menaxhim i hapësirës së qytetit ndër vite në mënyrë të gabuar nuk mund të fshihet mbas një justifikimi kaq të cekët. Largimi u ujërave sipërfaqësore nuk mund të pretendohet të largohet i gjithi nëpërmjet kanalizimeve. Por në qoftë se sipërfqja e tokës mbulohet pothuajse tërësisht nga ndërtimet (kupto dhe asfaltin trotuaret dhe oborret e betonizuara) atëherë reshjet s’kanë ku shkojnë tjetër përveç se ne kanalizimet urbane sado të amortizuara apo nën/dimensionuara të jenë ato.
Dhe këtu unë shikoj problemin kryesor në keq menaxhimin e sipërfaqes së tokës dhe shfrytëzimin jo të qëndrueshëm që i është bërë e vazhdohet t’i bëhet.
Hidroizolimi i tokës
Hidroizolimi i tokës i referohet zvogëlimit ose eliminimit të plotë të aftësisë së tokës për të thithur ujin. Ky proces shkaktohet nga urbanizimi, asfaltimi i rrugëve dhe ndërtimi i ndërtesave, të cilat krijojnë sipërfaqe të papërshkueshme nga uji si betoni dhe asfalti.
Ndikimet e hidroizolimit
Rritja e sasisë së ujit sipërfaqësor: Uji nuk është në gjendje të depërtojë në tokë, duke shkaktuar rritje të rrjedhjes që mund të çojë në përmbytje.
Ne diagramin e bashkangjitur janë evidentuar dhe ujërat sipërfaqësore, pra ato që rrjedhin ne sipërfaqe gjatë reshjeve.
Po të krahasojmë rastin kur reshjet bien në zonë natyrale me gjelbërim kemi ujëra sipërfaqësore në 5% dhe në rastin e qytetit tepër të betonizuar kemi deri në 70%.
Nëse sipërfaqen e qytetit e kemi kthyer në një vaskë gjigande grumbullimi reshjesh atëherë përmbytja është vetëm çështje kohe. Qytetit të Vlorës krahas ndërtimeve pa kriter vitet e fundit i është intensifikuar dhe betonizimi dhe asfaltimi masiv i vijës bregdetare.
Dhe nëse mendojmë zonën e përmbytur si një vaskë ajo u formua nga një krah nga relievi malor, nga krahu tjetër nga Rruga Transballkanike dhe nga krahu bregdetit nga ndërtimet masive dhe infrastruktura urbane e të ashtuquajturës “Lungo Mare” (shqip do quhej ndryshe).
Si duhet të ndërtohet një qytetet i qëndrueshëm, që të përballojë më mirë stuhitë që çdo vit bëhen më të fuqishme.
Planifikimi urban: Integrimi i hapësirave të gjelbra dhe zonave të depërtueshme në dizajnin urban për të përmirësuar menaxhimin e ujërave të stuhisë. Pra qyteti s’mund të japë leje ndërtimi për çdo centimetër katror tokë, por duhet të shtojë sipërfaqe toke të gjelbëruara.
Strim i depërtueshëm: Përdorimi i materialeve që lejojnë ujin të depërtojë në tokë, duke reduktuar rrjedhjen sipërfaqësore. (fotoja përbri ju tregon një rast aplikimi në zonë parkimi).
Parqe/shiu: Krijimi zonave vegjetative të projektuara për të thithur ujin e shiut.
Sisteme të qëndrueshme kullimi: Ndërtimi i sistemeve që menaxhojnë rrjedhjet në një mënyrë miqësore me mjedisin.
Një qytet i planifikuar do të thotë që mendon për të ardhmen duke u bazuar në përvojën e fituar. Klima mesdhetare është shndërruar pothuajse në një klimë tropikale dhe stuhitë të furishme do jenë pjesë normale e mënyrës sonë të jetesës.
Nuk mund të vazhdohet të menxhohet asnjë zone urbane pa e patur prioritet përshtatjen me ndryshimet klimaterike që herë pas here do të kulmojnë në situata që do të na bëjnë sërish të nxitojmë, të gjejmë justifikime për të fshehur faktin që jemi serish të pa përgatitur.
*Shkrimi është botuar së pari nga Arkitekt Elis Baba në Facebook.